Për nder të 1 qershorit-Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, stafi i Qendrës së Kujdesit Ditor “PEMA” në Gjilan, shënoi këtë ditë me disa aktivitete me fëmijët e kësaj qendre.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku ka vizituar qendrën dhe ka takuar fëmijët me nevoja të veçanta në karnevalin e tyre me rastin e 1 qershorit Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Nga koordinatorja e Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema”, Majlinda Ibrahimi u informova lidhur me të arriturat dhe sfidat me të cilat aktualisht përballen lidhur me ofrimin e kujdesit për 63 fëmijë me nevoja të veçanta”, tha Leonora Morina Bunjaku.
Nënkryetarja, tregoi se kjo qendër vazhdon të punojë dhe ndërtojë edukim për një kategori të veçantë të fëmijëve tanë, që t’iu dalë në krahë fëmijëve të tyre.
Më tej ajo shtoi se Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, është një ditë e veçantë që feston dhe promovon mirëqenien e fëmijëve.
“Ata kanë të drejtë të marrin dashuri, mirëkuptim, ushqim, kujdes mjekësor, edukim dhe mbrojtje nga të gjitha format e shfrytëzimit, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, feja ose origjina sociale”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, tha se duke vënë në pah nevojat dhe të drejtat e fëmijëve në këtë ditë, mund t’i ndihmojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe mirëqenia e tyre të ketë prioritet në të gjitha fushat e shoqërisë.
Ajo uroi fëmijët pë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. /2LONLINE/