/2L ONLINE/ – Leonora Morina-Bunjaku, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, zhvillimet në sferën e arsimit në Gjilan, i sheh me syrin kritik. Duke iu referuar raportit të suksesit në fund të gjysmë-vjetorit të parë për nivelin e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, ajo tha se shihet qartë se niveli i edukimit dhe arsimimit në Gjilan po shkon duke u përkeqësuar, duke filluar nga nota mesatare në rënie, në të tri nivelet, po ashtu numri i madh i mungesave, në veçanti klasat e 10-ta e thyejnë rekordin për të keq, e për këtë gjë duhet urgjentisht te zbatohen masat e rrepta disiplinore.
“Pothuajse në çdo nivel ka nxënës të panotuar, dhe si në të kaluarën edhe në këtë vit nuk jepen sqarime të hollësishme në raport me mos notimin e këtyre nxënësve. Dy vite më parë ishte arsyetim fluksi i madh i të emigruarve, por tani ku qëndron problemi dhe pse nuk evidentohen sqarime në raport me shkrim. Gjithashtu në këtë raport mungojnë të dhënat lidhur me realizimin e plan programit, edhe pse në vitet paraprake kemi propozuar që edhe kjo çështje të jetë e përfshirë në raport, pasi qe çdo kujdestarë klase, me shkrim i dorëzon raportet pëër realizimin e plan programi”, ka thënë Morina – Bunjaku.
Ajo tha se si politikëbërës duhet që të kujdesen më shumë për rritjen, zhvillimin, edukimin dhe arsimimin e mirëfilltë të nxënësve duke iu krijuar kushte sa më të mira, në hap me zhvillimin e teknologjisë, me laboratorë të pajisura me mjete konkretizimi, salla të edukatës fizike, ku do të kenë mundësi të merren me sport dhe me aktivitete fizike, e të tjera me rëndësi.
“Pra, duhet të ju krijohen kushte dhe ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt e mos të bimë pre e çdo eksperimenti të radhës, sepse përmes këtyre eksperimenteve, si nxënësit, e po ashtu edhe mësimdhënësit po pësojmë sepse aty kryesisht kërkohet punë administrative e jo përmirësim të cilësisë në mësimdhënie dhe në mësimnxënie”, ka thënë tutje Morina – Bunjaku e PDK-së.
Sipas saj, nuk duhet harruar edhe shkollat profesionale, duke parashtruar pyetjen se sa realizohet puna praktike dhe sa marrëveshje memorandumi janë me institucionet përkatëse?!
Ajo ka thënë se duhen trajnime të vazhdueshme profesionale për ngritjen e cilësisë si në mësimdhënie po ashtu edhe ne mësimnxënie, pra trajnimet të organizohen krahas kushteve që i posedojmë sepse me kënaqësi po pranohen modelet dhe udhëzimet e vendeve evropiane, mirëpo ato duhen harmonizuar edhe me mundësitë e realizimit të tyre me kushtet tona.
“Sa i përket konkursit të fundit për pranimin e mësimdhënësve, “i lumtë” këtij pushteti”, ka rehatuar nipa e mbesa, miq e mikesha, nuk dimë nëse iu ka mbetur ndonjë akoma pa e sistemuar, kësisoj pa fije turpi, plotësoi apo nuk plotësoi kriteret. Pra, kemi listën e të punësuarve kryekëput politike dhe kjo nuk do koment”, ka thënë në fund Leonora Morina-Bunjaku, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/