Me moton “Kanceri i gjirit kurohet, mjafton të zbulohet herët,” në qytetin e Gjilanit është organizuar një marsh sensibilizues për ndërgjegjësimin rreth sëmundjes së kancerit të gjirit, si dhe në përkrahjen e personave të prekur nga kjo sëmundje.
Ky aktivitet është organizuar nga Komuna e Gjilanit, DSHMS, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe QRSHP në Gjilan.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se me shumë krenari dhe mirënjohje qëndron para jush, e rrethuar nga forca e grave dhe përkrahja e burrave sigurisht, në një rast kaq të rëndësishëm – Tetorin e Rozë, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ajo shtoi se tetori është më shumë se vetëm një muaj në kalendar, është një kohë kur mblidhen për të festuar guximin, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar angazhimin tonë në luftën kundër kancerit të gjirit.
“Ne mbajmë shiritin rozë jo vetëm si një simbol mbështetjeje, por si një kujtesë për jetët e prekura, betejat e zhvilluara dhe fitoret e fituara”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se kanceri i gjirit prek shumë jetë – mund të jenë nënat, motrat, miqtë, apo edhe ne vetë.
“Por ndërsa jemi mbledhur këto ditë, na kujtohet se në unitet ka shpresë. Tetorin rozë e filluam bashkë dhe përmes shumë aktiviteteve të ndryshme të organizuara nga mantelbardhët e QKMF-së si në fshatra po ashtu edhe në qytet, ekspozita në Galerinë e Arteve, kori Muza i grave të shquara ishte një dëshmi e fuqisë së komunitetit dhe bukurisë së forcës kolektive. Ashtu si çdo zë në kor ndërthuret në mënyrë harmonike për të krijuar diçka më të madhe se individi, po ashtu qëndruam të bashkuara në luftën kundër kancerit të gjirit”, tha Morina Bunjaku.
Më tej nënkryetarja shtoi se përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin, për të inkurajuar zbulimin e hershëm dhe për të mbështetur kërkimin janë jetike.
Sipas saj nuk duhet të nënvlerësohet kurrë fuqia e edukimit, rëndësia e ekzaminimeve të ofruara falas dhe rolin që secili prej nesh luan në mbrojtjen për shëndetin dhe mirëqenien e të gjitha grave.
“Ndërsa shijuam edukimin, trajnimin, artin, muzikën dhe frymën ngritëse të këtyre takimeve, le të marrim një moment për të nderuar ata që e kanë përballuar me guxim sfidën e kancerit të gjirit. Le të ripërtërijmë angazhimin tonë për të qenë aty për njëri-tjetrin, për të inkurajuar diagnostikimin e hershëm dhe për të siguruar që asnjë grua të mos luftojë e vetme”, tha ajo.
Nënkryetarja e Gjilanit, falënderoi gra dhe burra që kontribuuan në forma të ndryshme gjatë këtij muaji, për të frymëzuar, ngritur dhe për të kujtuar forcën që qëndron brenda secilit prej nesh.
“Së bashku, le të vazhdojmë luftën, të armatosur me ndërgjegjësim, të fuqizuar nga solidariteti dhe të ushqyer nga shpresa se një ditë, kanceri i gjirit do të jetë një gjë e së shkuarës”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku. /2LONLINE/