Trajneri i Mançester Junajtedit, Dejvid Mojes, beson se futbollisti shqiptar me pasaportë belge, Adnan Januzaj, do të jetë numri dhjetë i ardhshëm i “Djajve të Kuq”, duke parashikuar kështu një rol madhor për 18-vjeçarin që bëri debutimin e tij në Ligën Premiere në këtë edicion dhe ka shënuar 2 gola në 6 paraqitje me kampionët e Anglisë.
Januzaj fillimisht ka luajtur në krahun e majtë në prezantimin e tij në skuadrën e parë por Mojes beson se shumë shpejt ai do të shkëlqejë në rolin qendror në “Old Trafford”.
“Në të ardhmen, pozicioni më i mirë për Adnanin do të jetë ai i numrit 10, por meqenëse është kaq i ri ishte më e mira ta prezantonim atë në të majtë ose në të djathtë. Ai është një qendërsulmues i tmerrshëm dhe kaq i talentuar sa mund të luajë në disa pozicione të ndryshme. Djaloshi po punon me të vërtetë shumë mirë dhe është kaq i talentuar sa mund të kryejë me sukses çdo detyrë që i jep”, ka theksuar Mojes.
Ai gjithashtu këmbënguli se nuk do ta mbingarkojë Januzajn këtë edicion dhe e krahasoi situatën e tij me menaxhimin e Uejn Runit kur sulmuesi i kombëtares anglez spikati si një futbollist i skuadrës së parë te Evertonit.
“Nuk dua të ngarkoj shumë pritshmëri mbi djaloshin, ndaj dhe do ta mbaj ndonjëherë jashtë në mënyrë që të mos mbingarkohet. Por ai ka diçka që unë nuk e kam parë prej një kohe të gjatë. Situata me të është paksa e njëjtë me atë që kisha me Uejn Runin kur ai ishte një futbollist i ri. Kujtoj se në atë koha pati kritika, pasi e vendosa Runin në të majtë disa herë. Nuk mund t’i integrosh futbollistët e rinj menjëherë dhe kur e bën këtë duhet të gjesh mënyrën më të mirë për ta. Duke e aktivizuar në të majtë, nuk i bëra Runit ndonjë gjë të keqe”, ka shtuar Mojes./rtklive.com/