Ata që akuzojnë institucionet e Kosovës për kinse “prishje” të raporteve me Bashkimin Evropian, kanë mungesë guximi dhe vullneti për tu ballafaquar me realitetin.
SHkruan: ardian Azemi
Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, i shpallur në mënyrë demokratike dhe mbi bazën e vullnetit të popullit, madje i vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si akt i ligjshëm përmes të cilit nuk është bërë asnjë shkelje, dhe si shtet e ka të drejtën, madje obligim kushtetues me mbrojtë sovranitetin dhe integritetin e shtetit.
Çdo veprim ndryshe i institucioneve të Kosovës në raport me Serbinë, do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit të shtetit dhe kushtetutshmërisë.
Për rregullimin e brendshëm shtetëror, përgjegjëse janë institucionet e shtetit, dhe çdo ndërhyrje nga jasht, qoftë nga Serbia apo edhe nga Bashkimi Evropian, është cenim i sovranitetit dhe autoritetit të shtetit, bile në një masë të madhe e zbeh 17 shkurtin e 2008-së.
Është totalisht e paimagjinueshme që BE-ja ta përkrah një shtet siç është Serbia, e cila në vazhdimësi përveç që pengon Kosovës në rrugën e saj të integrimeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, tenton edhe të shtrij ndikimin e saj edhe në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës.
Është e papranueshme që një shtet i cili ka bërë gjenocid në Kosovë, të mendoj të rikthehet përmes politikave të praktikuara në kohën e gjenocidit, dhe të mirëkuptohet nga një familje e madhe shtetesh demokratike dhe me traditë, siç është BE.
Një gjë duhet ta pranojmë, sado e rënd të jetë ajo; asnjëherë Kosova nuk ka pasur raporte të mira me Bashkimin Evropian. Kur them Bashkimin Evropian, flas si Institucione të BE-së, jo si shtete veç e veç. E vërteta është se gjatë tërë kohës Kosova ka qenë objekt eksperimentesh për BE-në.
Kosova ka pasur para vetës dyfish më shumë kritere për liberalizim sesa shtetet fqinjë. Edhe në procesin e dialogut, Kosova nuk është trajtuar kurrë e barabartë me palën tjetër, në këtë rast me Serbinë.
Flamuri i shtetit të Kosovës nuk është parë asnjëherë krahas atij të BE-së dhe Serbisë në takimet dypalëshe me ndërmjetësim nga përfaqësuesja e lartë e BE-së. Në momentin që të tilla diskriminime të bënë BE-ja në takime të nivelit të lartë mes dy shteteve, atëherë si mund të reflektoj Serbia në këtë proces..?! Hajgare është kjo!
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogherini, fton në takim ndaras kryeministrat e dy vendeve, të Kosovës dhe atë të Serbisë, dhe vazhdon me të njëjtin diskriminim duke anuluar pa asnjë arsyeje bindëse konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa të buzëqeshur dalin para mediave me palën tjetër.
E njëjta zyrëtare pati bë presion të vazhdueshëm për votimin në Kuvend të marrëveshjes me Malin e Zi, respektivisht demarkacionin. Publikisht pati thënë se; votojeni demarkacionin, menjëherë hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Vendi ynë i përmbushi të gjitha kriteret e përcaktuara, e pranojnë institucionet më të larta të BE-së se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për vizat, ndërsa liberalizim s’ka. Madje, as kërkim falje për dy milionë e kusurë qytetarë s’ka!
Mogherini e ka humbë të drejtën të kërkojë nga Kosova diçka. Mashtrimi që iu është bërë popullit të Kosovës, ia humbë të drejtën BE-së ti kërkojë Kosovës heqjen e tarifës prej 100% ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Për më keq, Mogherini shpërfaqë irritimin e saj edhe ndaj Ekipit Negociator të votuar në Kuvendin e Kosovës, duke thënë hapur se dialogur është në nivel Presidentësh, ka nis ashtu dhe do të përfundoj në këtë format.
Është e pakuptimtë që një zyrëtare me këtë pozitë të lartë në institucionet e BE-së, të ndërhyn në çështje të brendshme të një shteti. Kush me kënd do të shkoj në bisedime, i takon shtetit ta përcaktoj, jo nga jashtë.
Bashkimi Evropian ëhstë në krizë, dhe kjo nuk do koment. Sa herë që të mëdhenjtë kanë kriza, më keq e pësojnë shtetet e vogëla, në këtë rast Kosova. A rrezikon të shpërbëhet kjo familje e madhe, mbetet të shihet në dhjetë vitet e ardhshme, porse krizë ka, mungesë koordinimi ka, mungesë vullneti për të prodhua zgjidhje ka, mungesë uniteti për të prodhua stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor ka. Andaj, krejt këto na dërgojnë sinjale se Bashkimi Evropian nuk do të jetë në nivelin e duhur pas zgjedhjeve të 2019-së.
Serbia është afër anëtarësimit, po hap kapituj të ri vazhdimisht, përderisa Kosova ende bënë përpjekje për ti bindë shtetet se e meritojmë lëvizjen e lirë, një e drejtë të cilën Kosova do të duhej ta gëzonte krahas shteteve të rajonit. Kjo e bënë shumë të padrejtë dhe diskriminuese BE-në në raport me Kosovën.