Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me gjashtë federata, në vlerë totale prej më shumë se gjysmë milioni euro.
Në bazë të memorandumit, Federata e Xhudos e Kosovës mbështetet financiarisht në vlerë prej 172,400 eurosh, dokument të cilin për këtë federate e nënshkroi kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
Me Federatën e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare në vlerë prej 86,400 eurosh, memorandum të cilin në emër të kësaj Federate e nënshkroi kryetari i federatës Ardian Telaku.
Po ashtu, Federata e Çiklizmit të Kosovës u mbështet me mjete financiarë në vlerë prej 45,624 eurosh.
Në emër të Federatës së Shahut kryetari Nysret Avdiu nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit i cili i mundëson përkrahjen financiare kësaj federate në një vlerë prej 49,980 eurosh.
Federata e Pingpongut u mbështet me mjete financiare në vlerë prej 82,864 eurosh.
Ndërkaq për federatën Skitare të Kosovës, kryetari i kësaj federate nënshkroi memorandum bashkëpunimi me vlerë financiare 85,824 eurosh.