“Mjetet e destinuara për subvencion janë në minimum, ndërkaq numri i kërkesave që presin përgjigje është mjaft i madh”, ka thënë Salihu.
Ndryshe, Salihu ka thënë se një nga prioritetet e autoriteteve shëndetësore në Gjilan, aktualisht është hapja e dy punkteve shëndetësore në shkollat “Abaz Ajeti” dhe në lagjen e tetë të qytetit, por do të merren parasysh edhe kërkesat për rrethojën e ambulancës në Pogragjë si dhe rregullimin e ngrohjes në ambulancën e lagjes “Arbëria.
Siç ka thënë Salihu shëndeti i popullatës, në përgjithësi e veçmas i fëmijëve, është preokupim dhe prioritet i kësaj drejtorie, prandaj ka vendosur që nxënësve t`iu ofrohen mundësi për shërbimeve stomatologjike brenda shkollave.
Për më tepër, hapja e ordinancave në këto dy shkolla, është e nevojshme edhe për faktin se në këto lagje, mungojnë ordinancat stomatologjike.
Ndryshe, Salihu ka thënë se në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, disa kategori të qytetarëve janë të liruara nga pagesat, duke përfshirë edhe fëmijët deri në moshën 15-vjeçare, prandaj pjesa që mbetet për participim, është ajo e moshës së mesme, e cila logjikisht shumë rrallë ka nevojë për mjekë.
“Ne nuk kemi obligim ligjor që ta detyrojmë një pacient të participojë, nëse ai nuk ka mundësi të paguaj, ndërkohë që bëjmë shkelje ligjore nëse e detyrojmë të paguaj një pacient të kategorisë së liruar”, ka thënë Salihu, duke nënvizuar se për shërbimet, të cilat nuk përfshihen në listën esenciale, duhet të participohet.
Ndërsa sa i përket detyrës së marrë nga Komiteti përkatës që në afat sa më të shkurtër Drejtoria e Shëndetësisë të zgjidh edhe problemin e kujdestarisë së barnatoreve gjatë natës, për shkak se pacientët nuk po kanë ku të sigurojnë barnat që mungojnë në institucionet shëndetësore, Salihu tha se ka biseduar me pronarë të barnatore, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të punojë pas mesnatës, pa i garantuar siguri.
Prandaj si zgjidhje më e mirë u rekomandua zhvendosja e shërbimit të emergjencës nga objekti ku gjendet tani, në hapësirat e QKMF-së, ku ekziston barnatorja. /2lonline/