Mjekët, mamitë dhe infermierët pediatrik të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe Prizrenit filluan me trajnimin nga lëmia e neonatologjisë, organizuar nga OMK, me temë “Reanimimi neonatal/Oksigjenoterapia te të porsalindurit” dhe “Vendosja e kateterit qëndror(umbilikal) apo dhe vija të thella dhe transfuzioni te të porsalindurit”.
Në fjalimin hyrës, kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu potencoi se ky trajnim 11 ditor sipas programit të bashkëpunimit me Klinikat e Neonatologjisë në spitalet e përgjithshme të Gjilanit dhe Prizrenit do të shërbejë për ngritjen e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të kujdesit shëndetësor, mjekëve, infermierëve dhe mamive të cilët punojnë në repartet e materniteteve dhe ato neonatale të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan dhe në Prizren. Gjithashtu çka është shumë e rëndësishme se për këtë lloj të trajnimit do të krijohet edhe manuali për procedurat standarde të operimit (ang SOP), që pastaj do të aplikohet dhe ndahet me të gjitha repartet neonatale në spitalet e Kosovës.
Pjesëmarrësit e trajnimit ju drejtua me fjalë mirëseardhje edhe udhëheqja e projektit për shëndetësi nga projekti Lux Dev Dr.Aferdita Ademi-Osmani, e cila potencoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të spitale të përgjithshme të Gjilanit dhe Prizrenit, të cilët pritet që në një të ardhme të afërt të shërbejnë si qendra për mbështetje dhe ngritje të kapaciteteve të kolegëve nga spitalet tjera, për shembull Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit t’i ndihmoj kolegëve nga spitalet nga rrafshi i Dukagjinit.
Qeveria e Luksemburgut do të vazhdojë të mbështes aktivitet që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve dhe aftësimit profesional të personelit shëndetësor të Spitaleve të Përgjithshme të Gjilanit dhe Prizrenit.
Trajnimi do të organizohet nën drejtimin e: Prof.dr. Boris Filipoviq-Grçiq, MD, PhD, nga Departamenti i Pediatrisë, Qendra Klinike Spitalore në Zagreb dhe Dr. Darjan Kardum, MD, PhD, nga Departamenti i Pediatrisë, Qendra Klinike Spitalore në Osijek. Që të dy mjekët janë Instruktorë ndërkombëtarë të reanimimit të të porsalindurve nga Këshilli Evropian i Reanimimit.
Sipas programit fillimisht është duke u zhvilluar pjesa teorike, duke startuar me Fiziologjia e shtatzënisë, qëndrimet etike, Baza fiziologjike për reanimimin e të porsalindurve për të vazhduar programi pastaj me pjesën praktike me Vendosjen e kateterit venoz të kërthizës, punksioni i gjoksit dhe Aplikimi i barnave në reanimim, kujdesi pas reanimimit.
Trajnimi do të vazhdojë me vizita dhe pjesë praktike me raste simuluese dhe pacientë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit e pastaj në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Organizimi i trajnimeve për mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe Prizrenit vijnë si rezultat i zbatimit të aktiviteteve të Marrëveshjes së Delegimit për Fonde dhe Zbatim (DAFI KSV/017 21 2749) ndërmjet Odës së Mjekëve të Kosovës dhe projektit LuxDev.
LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency