(2LONLINE) – Ndër aktivitetet që zakonisht mbahen në fundviti janë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e më të mirëve në sektorë të caktuar. Edhe këtë vit Drejtoria për Rini, Kulturë e Sport e Gjilanit ka organizuar një aktivitet të tillë, por se karakteristikë e saj prapë ka qenë ndarja e tepruar e mirënjohjeve duke bërë që ato të mos e kenë vlerën e duhur dhe rrjedhimisht edhe të mos ketë kriter të qartë kur ndahen ato.
Është koha e fundit që aktivitetet e tilla të bëhen me kritere. Kontributi i të gjithëve duhet të çmohet dhe çdo kush që ka kontribuar e ka pas rezultate duhet të vlerësohet, por nëse thuhet zgjedhja e më të mirëve, atëherë e humb kuptimin nëse shembull në një sektor të caktuar të gjithë marrin mirënjohje.
Pra, duhet të ketë vlerësim mbi rezultate që kanë arritur të gjithë që futen në konkurrencë por kur është në pyetje zgjedhja e më të mirëve duhet të veçohet pastaj ai që ka rezultate më të mira. Për atë duhet të përcaktohen saktë kriteret dhe mbi to të punohet nga zyrtarë adekuatë, por edhe të tjerët që do të bëhen pjesë e komisioneve vlerësuese, e jo t’u lihet në dorë kjo punë vullnetit të ndonjë zyrtari i cili del se nuk ka “haber” në këto punë dhe e bënë vetëm sa për ta bërë, apo ka këtu edhe ndonjë qëllim tjetër.
Përndryshe, vit pas viti, këto aktivitete po përsëriten me po këto gabime dhe për këtë po shkaktohen pakënaqësi të mëdha tek të gjitha sektorët por më problematike vazhdon të jetë sektori i sportit. Pata shkruar edhe vite më parë një shkrim mbi këtë dukuri të cilën po e sjellë tani më poshtë në formë reprize, ndoshta do të jetë ndikues që ata që janë të thirrur, aktivitetin e radhës ta bëjnë ashtu siç duhet, ose së paku me sa ma pak gabime.
Ja shkrimi me titull “Mirënjohja si biletë autobusi” i botuar në 2lonline gati dy vite më parë që kishte të bënte me përzgjedhjet e bëra asokohe, por që në shumë çka mund t’i përshtatet çdo aktiviteti të mbajtur kohëve të fundit edhe e këtij të sotmes.
Mirënjohja si biletë autobusi
Shkruan: Muhamet Halili
(2LONLINE) – Mirënjohja ka vlerën e saj, nëse jepet në raste të caktuara dhe për merita të veçanta, por kur ajo jepet pa kritere dhe vetëm sa për t’i respektuar pjesëmarrësit në një aktivitet, e besa më shumë për të bërë politikë me ta, për qëllime të caktuara, atëherë ajo shndërrohet në një letër me vlerë 50 centësh.
Kjo vije në shprehje veçmas nga institucionet kur ato i kanë përvjetorët e tyre, kur ka aktivitete tradicionale, aktivitete pikërisht të vlerësimeve të tilla, apo edhe në fundvit. Se vlera e tyre zhbëhet, nga ky lloj koncepti i dhënies së tyre që praktikohet, flet fakti kur për shembull, në një ceremoni të ndarjes së mirënjohjeve për kontribute të ndryshme, mund të jetë] në sport, kulturë, art…. ndahen 70 – 80 mirënjohje e ndoshta edhe më tepër. Ka pra, për të gjithë që janë aty, ngase mirënjohjet nuk po jepen sipas meritave të atyre që i marrin por sipas nevojave të atyre që i japin.
Tentativa për t`i nderuat të gjithë, jo pse do ta meritonin, po që se vlerësohet mbi motivin që jepet mirënjohja, por thjesht në mënyrë që të amortizohen çfarëdo pakënaqësie karshi institucionit e bastardon vlerën e mirënjohjes. Por se, ja që në momente të caktuara të gjithë qytetarët, në këtë rast ata që janë aktiv në ndonjë aktivitet, përfaqësojnë një kategori, shihen si vota jo si qenie njerëzore, andaj pse të mos u bëhet qejfi. Tekefundit thash, mirënjohja mbetet vetëm një letër me vlerë 50 centësh, nëse nuk jepet mbi bazën e meritës.
Metoda e krahasimit është forma më e mirë e vlerësimit të një veprimtarie, po marrim shembull një shoqëri kulturore artistike. Por kur të gjithë futen në një thes sa i përket nderimit me mirënjohje, shembull për performancën e treguar brenda një viti, atëherë nuk ekziston pastaj mundësia e krahasimit dhe se bëhen të gjithë të njëjtë, ndonëse aktiviteti i tyre në atë periudhë të caktuar nuk mund të jetë i njëjtë, as për ka sasia as për kah cilësia.
Ose shembull kur një institucion kërkon listën e të gjithë gazetarëve nga i pari deri te i fundit, sepse në një ngjarje të caktuar që lidhet me atë institucion, dëshiron ti nderojë duke u ndarë të gjithëve mirënjohje me motivin “për pasqyrim të drejtë të punës…”, së atij institucionit përkatës. Ndërkohë që mund të ndodh që ka të tillë që nuk kanë shkruar asnjëherë për punën e atij institucioni. Por, logjika e tyre është që ti kemi punët mirë me të gjithë, se ku i dihet çfarë mund të shkruajnë.
Apo më ka rasti shembull të shoh ndarjen e mirënjohjes nga një klub sportiv, përveç tjerash, edhe për të gjitha partitë politike për mbështetjen e ofruar. Ironike sepse ka parti që nuk e di as për ekzistencën e atij klubi e leje më ndihmën e ofruar. Dhe ndodh pastaj kur përfaqësuesi i një partie përkatëse në bisedë të lirë shprehet, “nuk e di, më kanë thirr, ndonjë mirënjohje. Çka bëjnë këta, me çka merren se duhet ndoshta me i përshëndet e me i falënderua e mos të koritem t’ua gaboj emrin apo me atë se me çfarë merren’, apo edhe shprehjet tjera të kësaj natyre, por që tregojnë për jo lidhshmërinë mes tyre..
Por, prapë edhe në këso raste luhet me adresarë, kërkohen të gjitha partitë, jo që realisht kanë ofruar ndonjë ndihmë (mund të ketë ndonjë përjashtim), por se tekefundit mirënjohja është 50 cent dhe ku ta di, ndoshta në një të ardhme, i duhet klubit përkatës raporti i mirë me ato parti, përkatësisht njerëz të atyre partive.
Ka edhe të tillë që në rastin e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kanë mirënjohje të zbrazëta që i mbajnë rezervë, e të cilat i mbushin sipas nevojës. Nëse shohin që dikush është i pranishëm dhe është “harruar”, të nderohet me mirënjohje, apo dikush që sapo erdhi në ceremoni, mirënjohja i mbushet aty për aty.
Është mirë që sa më parë të ndërrohet kjo praktikë e dhënies së mirënjohjeve, sikur të ishin bileta autobusi. Aferim për atë që e ndërron këtë praktik i pari dhe bëhet shembull i mirë për të tjerë. /2lonline/