Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 207-të me radhë, në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.
Në fillim të këtij takimi është miratuar Rregullorja për menaxhimin e lëndëve përmes sistemit elektronik (SMIL) në sistemin prokurorial dhe Udhëzuesi themelor i referimit për organet parahetuese dhe hetuese disiplinore për prokurorët.
Me tej, pas përfundimit të procedurave, KPK-ja ka avancuar prokurorin Enis Gashi nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Në këtë takim është miratuar Plani i Punës së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vitin 2022 dhe Raporti për vlerësimin vjetor të eprorëve për vitin 2020, bashkë me rekomandimet e anëtarëve të KPK-së.
Gjatë këtij takimi, KPK-ja ka miratuar katër raporte për vlerësim dhe rivlerësim të 25 prokurorëve, duke aprovuar po ashtu Kundërshtimin e paraqitur nga një prokuror lidhur me vlerësimin dhe ka obliguar Komisionin që të bëjë rivlerësimin e tij. Me miratimin e këtyre raporteve, KPK ka realizuar në tërësi Planin e punës për vlerësimin e performancës së prokurorëve për vitin 2021.
Në këtë takim, Këshilli ka themeluar dy panele hetimore për trajtimin e rasteve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prizren dhe një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në fund të takimit është mbajtur seancë dëgjimore disiplinore lidhur me rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore të Pejës, kurse vendimi përkatës do të bëhet publik siç parashihet me Ligj. /2LONLINE/