Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), i Komunës së Gjilanit, ka miratuar unanimisht Raportin e punës se Komisionit mbikëqyrës të Projektit të Dezinsektimit të hapësirave publike.
Dr. Jashar Jashari, kryesues i këtij komiteti, tha për portalin 2L ONLINE se Dezinsektimi i Hapësirës së Qytetit, si mase mbrojtëse, apo si preventive nga mushkonjat dhe nga insektet tjera është bërë me kohe dhe atë në katër faza, duke filluar me 20. 06.2017 deri me 25.08. 2017.
Jashari tha se është përfshirë tërë hapësirën e qytetit, dhe në veçanti prioritet iu është dhënë shtretërve të lumit Mirusha dhe Stanishorka ku prezenca e mushkonjave dhe insekteve tjera ka qenë me e shprehur.
Sipas tij, dezinsektimi është kryer me sukses nga N.T.SH. FAUNA, në një sipërfaqe prej 1000 ha (hektarë), nën mbikëqyrjen e komisionit prej tre anetareve.
Përndryshe, para anëtarëve të KSHMS –së, raportin e prezantoi Blerim Syla – kryetar i komisionit, i cili në pika të shkurtra njoftoi mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti shumë të rëndësishëm.
“Qytetarët e Gjilanit, falë këtij projekti kanë qenë më të relaksuar gjatë periudhës së verës, sepse me kohë është bërë dezinsektimi i hapësirës se qytetit dhe asgjësimi i insekteve”, ka thënë dr. Jashari -kryesues i këtij komiteti.
Me diskutimet e tyre rreth këtij raporti kanë dhënë kontribut të gjithë anëtarët e këtij komiteti, me referencë që në të ardhmen dezinsektimi të përfshihet edhe përreth vendbanimeve, pra edhe në pjesët rurale.