Kështu ka vendosur kryetari i komunës, Qemajl Mustafa, së bashku me bordin e drejtorëve, derisa ai është përkrahur edhe nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe është rekomanduar për miratim edhe në Kuvendin Komunal.
Fillimisht ishte propozuar një buxhet vjetor prej 15 milionë e 553 mijë euro, por duke ditur se mundësitë e komunës së Gjilanit për të realizuar të hyra vetjake janë më të mëdha, është vendosur që propozim-buxheti të rritet në mbi 16 milionë.
Qemajl Mustafa, kryetar i komunës, ka thënë se shuma e të hyrave vetjake prej 3 milionë euro është e pamjaftueshme për nevojat zhvillimore të kësaj komune, i bindur se MEF-i nuk do të ndërhyjë për të limituar të hyrat vetjake të komunave, përkundër faktit se buxheti në Kosovë është i centralizuar akoma.
Ndryshe, Mustafa u shpreh i kënaqur përgjithësisht me zhvillimin e komunës, por tha se për një zhvillim më të shpejt duhen investime më të mëdha, prandaj Gjilani pret mjete edhe grandet qeveritare, sepse planifikimi investiv është mjaft ambicioz.
Në këtë drejtim u shpreh optimist edhe Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, duke i hequr dilemat nëse Komiteti për politikë dhe financa duhet të përkrah propozimin për rritje të të hyrave vetjake, pavarësisht se çfarë mund të vendos niveli qendror.
Nuhi Nuhiu, drejtor për financa, ekonomi dhe zhvillim, i cili ka prezantuar propozim-buxhetin për vitin 2011, ka thënë se trendet e inkasimit, sivjet janë shumë më të mira, prandaj komuna e Gjilanit ka mundësi për të arkëtuar 500 mijë më shumë, por shtoi se nuk është i sigurt nëse ky plan buxhetor do të pranohet nge MEF-i.
Propozimi për rritjen e të hyrave vetjake për 500 mijë euro u përkrah edhe nga anëtarët tjerë të Komitetit për politikë dhe financa, të cilët thanë se komunat duhet të jenë autonome në planifikimin dhe shfrytëzimin e të hyrave vetjake, por disa prej tyre kërkuan që të specifikohet lista e projekteve, ku do të investohen mjetet./2lonline/