Qeveria e Kosovës sot ka miratuar “Projekt rregulloren për shitjen e obligacioneve me pakicë të Qeverisë së Republikës së Kosovës” të propozuar nga Ministri i Financave Avdullah Hoti.
Sipas Ministrit Hoti, kjo rregullore hap një mundësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të tregut të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës, ku subjekt i kësaj rregulloreje është edhe definimi i procesit të shitjes me pakicë të Letrave me vlerë për personat fizik.
“Rregullorja gjithashtu mundëson që investitorë rezidentë dhe jo rezidentë, të cilët kanë llogari bankare në Republikën e Kosovës, në bankat e licencuara nga BQK, mund të investojnë/blejnë me pakicë Letra me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu theksoi se kjo Rregullore është një mundësi e re për investime nga personat fizik jo rezidentë me theks të veçantë diasporës.
“Rregullorja përcakton kushtet e përgjithshme për shitjen e obligacioneve, rolin e BQK-së, shumën minimale për obligacione, procesin e shitjes, përcaktimin e tarifave, si dhe tregun sekondar të obligacioneve”, shtoi Ministri Hoti.