Në këtë kampionat, duket se skuadra e futbollit FC Drita ka qenë një “penicilinë” për skuadrën nga kryeqendra, FC Prishtina, sikurse Marko Simonovski që ka qenë një “i pamëshirshëm”, ndaj portës së skuadrës prishtinase, transmeton 2LONLINE.com.
Edhe në ballafaqimin e javës së 35-të të BKT Superligës së Kosovës në futboll, Drita si mysafire mundi Prishtinën dhe golashënues ishte Simonovski.
Kur kaloi edhe minuta e 90-të e takimit, u duk se kjo përballje do të mbyllej pa gola, por doli në skenë Simonovski i cili edhe në takimet e mëparshme i kishte shënuar Prishtinës, për të shënuar sërish, kësaj here në minutën e 92+, për t’ia sjellë fitoren Dritës dhe tri pikë nga ky ballafaqim.
Tani me këtë fitore, Drita ka 61 pikë dhe mbanë pozitën e tretë, një më pak se Gjilani në të dytën.
Përndryshe, ballafaqimin e fundit Drita do ta luaj në terren të saj me Ulpianën. /2LONLINE/