Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar marrëveshje me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për projektin “Pilotimi i konceptit të Smart City” për Gjilanin.
“550.000 euro është projekti i radhës për Smart City, i nënshkruar nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria e Ekonomisë”, tha kryetari Hyseni.
Më tej i pari i Gjilanit, tregoi se bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, për bashkëfinancim të “Pilotimit të konceptit “Smart City (Neutral Host)”.
“Drejt së ardhmes, përmes teknologjisë e inovacionit”, tha kryetari Hyseni.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë tha se Gjilani po bëhet SmartCity.
Artane Rizvanolli, tregoi se sot së bashku me kryetarin Alban Hyseni, nënshkruan bashkëfinancimin e projektit “Pilotimi i konceptit të Smart City” për Gjilanin, me një vlerë totale prej 550,000 euro.
“Po synojmë të sjellim përmirësime të mëdha për qytetarët e Gjilanit, tha Rizvanolli.
Ministrja tregoi se duke adoptuar teknologji të reja të bazuara në Internet of Things (IoT) po mundësojmë zgjidhje të ndryshme për shfrytëzimin efiçient të energjisë elektrike, sistemin digjital për menaxhimin e trafikut, mbeturinave dhe ofrimin e shërbimeve digjitale komunale.
“Suksesi i këtij projekti do të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë, për të ofruar zgjidhje të mençura për qytetarët e tyre përmes teknologjive të avancuara”, tha ministrja Rizvanolli. /2LONLINE/