Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti sot në takim delegacionin francez të kryesuar nga znj. Michel Gabriel dhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.
Ky takim njëherit shënon edhe hapjen e negociatave zyrtare për marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale dhe ekstradim.
Ministrja Haxhiu vlerësoi lart bashkëpunimin në mes të dy republikave në veçanti për sferën juridike duke theksuar se përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe intensifikimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale është i një rëndësie të veçantë për ne.
“Konsideroj se bashkëpunimi bilateral me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të luftuar krimin transnacional i cili cenon sigurinë kombëtare të vendeve tona, në veçanti me Republikën e Francës duke qenë edhe bashkëthemeluese e këtij Unioni, është një dëshmi tjetër e angazhimit të palëkundur të Kosovës për anëtarësim në BE dhe luftës kundër krimit të organizuar” theksoi mes tjerash ministrja Haxhiu.
Nga të dy palët u shpreh vullnet i qartë dhe gatishmëri për të negociuar marrëveshjen ndërmjet dy republikave respektive për çështjet penale dhe ekstradim. /2LONLINE/