Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar sot Gjykatën Themelore në Gjilan ku është pritur nga Ushtruesi i detyrës së Kryetarit, Afrim Shala me bashkëpunëtorë.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, pasi foli për arsyet e vizitës në Gjykatën Themelore në Gjilan dhe gjendjes në sistemin e drejtësisë, vuri në dukje përkushtimin për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.
“Nuk do të bëjmë ndryshime në ligje sa për të thënë se po japim kontribut në procesin e rishikimit. Do të bëjmë ndryshime konform me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe në koherencë me rrethanat tona. Do të vejmë theksin aty ku esencialisht preket qytetari, duke e forcuar integritetin e gjyqësorit, si dhe duke e rritur besueshmërinë ndaj tij. Fuqizimi i sundimit të ligjit po ashtu i kontribuon procesit të integrimeve euro-atlantike, andaj ky është prioriteti ynë themelor”, theksoi Ministrja Hoxha.
Po ashtu, Ministrja Hoxha ftoi të pranishmit të jenë pjesë aktive gjatë rishikimit funksional të legjislacionit duke kontribuuar me përvojat që hasen në praktikë sepse, praktika, sipas Ministres, korrigjon dispozitat ligjore që mund të jenë pengesë e fuqizimit të sundimit të ligjit.
Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore, Afrim Shala, shprehu mirënjohje dhe mirëpriti vizitën e Ministres Hoxha duke theksuar se vizita e tillë dëshmon mbështetjen e institucioneve qendrore për gjyqësorin, pavarësinë e tij dhe punën në kushte sa më të mira.
“Angazhimi ynë për forcimin e sundimit të ligjit është maksimal, konsiderojmë se këtij suksesi i kontribuon jashtëzakonisht gatishmëria e çdo instance ligjore për zbatimin e ligjit. Kemi suksese dhe sfida por, sigurisht se do të dëshmojmë përkushtimin tonë ligjor dhe rritjen e besueshmërisë në gjyqësor”, theksoi Afrim Shala, Ushtrues i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Vizita u zhvillua në vazhdën e vizitave të Ministres Hoxha në gjykatat themelore me qëllim të njohjes nga afër me gjendjen, punën, të arriturat dhe sfidat e gjykatës themelore, ngritjes së transparencës dhe përkushtimit për fuqizimin e sundimit të ligjit.