Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës ku u prit nga presidenti Besim Hasani.
Me rastin e kësaj vizite, mes MKRS-së dhe KOK-ut u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum u nënshkrua me qëllim të mbështetjes financiare të KOK-ut me 300 mijë euro për realizimin e objektivave të veta për vitin 2019.
Ministri Gashi tha se mbështetja e tij për sportin në vend nuk do të ndalet dhe këtë po e dëshmon realizimi i shumë objektivave të Ministrisë për avancimin e sportit në vend. Ai tha se prezenca e tij në KOK sot, nuk është vetëm për të nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për vitin 2019 por edhe për të rikonfirmuar mbështetjen për Komitetin dhe për të gjitha organizatat sportive që janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ai tha se gjatë takimit janë dakorduar për shtyrjen përpara të ligjit të ri për sport sepse ligji aktual nuk përkon me kërkesat dhe nevojat e kohës.
Ministri njoftoi edhe për marrjen e vendimit që në objektin ku operon KOK-u ta shfrytëzojë edhe një kat tjetër me qëllim të krijimit të një hapësire më të madhe për zhvillimin e aktiviteteve.
Ministri Gashi po ashtu njoftoi se për shkak të sukseseve të njëpasnjëshme të xhudistëve, është vendosur që të mos pritet edhe më tutje për ndarjen e parcelës nga ana Komunës së Pejës për ndërtimin e objektit të xhudos, por bashkë me Federatën e Xhudos të shikohen alternativa tjera për ndërtimin e objektit