“Ne sapo kemi filluar ekzekutimin e buxhetit të vitit 2018, dhe jemi në përgatitje për fillimin e planifikimit të ciklit të ri buxhetor për vitin 2019, që fillon me azhurnimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën trevjeçare. Në prag të këtij procesi të ardhshëm buxhetor, Programi për Reforma në Ekonomi ofron një mundësi shumë të mirë që ta orientojmë punën e institucioneve tona drejt ndryshimeve të thella strukturore përmes veprimeve të matshme konkrete”, tha ministri i Financave Bedri Hamza, sot në prezantimin e Programit për Reforma në Ekonomi 2018 – 2020, para komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, e cila u organizua nga Ministria e Financave.
Në këtë takim, morën pjesë ministri i Financave Bedri Hamza, udhëheqësi i Seksionit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian Ricccardo Serri, ekspertë profesional nga Ministria e Financave, përfaqësues nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësues tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues të komunitetit të biznesit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ministri i Financave Bedri Hamza theksoi se “Gjithsesi, ky Program është edhe një vegël përmes së cilës Komisioni Evropian monitoron performacën tonë si kandidat potencial në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardeve të tregut evropian. Në kontekstin praktik, ky program është një udhëzues i mirë për ndërlidhjen e politikave me buxhetin në aspektin e planifikimit strategjik shumëvjeçar”.
“Përderisa Programi i Qeverisë i ka dhënë prioritet të qartë transformimit ekonomik, përmes këtij dokumenti ose programi identifikojmë mundësitë reale për veprim përmes analizës makroekonomike, duke u fokusuar në veprime konkrete të masave që vlerësohen në baza vjetore. Përmes këtij programi, ne kemi një rrugë të qartë se nga duhet orientuar buxheti dhe politika rregullative për të adresuar pengesat e rritjes së ekonomisë”, shtoi Ministri Hamza.
Ai gjithashtu theksoi se “platforma e konsultimit me Ju si hisedarë jo-qeveritar në këtë proces, na krijon edhe një mundësi shumë të mirë për të mësuar nëse jemi në rrugë të drejtë, dhe çfarë duhet bërë për të qenë më efektiv”.
Ministri Hamza tha se në krahasim me programin e vitit 2017, analiza makroekonomike na tregon se mundësitë për veprim janë më të mëdha.
“Rritja reale parashihet të jetë vazhdimisht mbi 4%, rreziqet janë më të balancuara, ambienti i jashtëm ekonomik më favorizues, ndërsa aftësia e sektorit publik për financim koncesional nga jashtë është rritur. Na mbetet të jemi më efikas në implementim dhe në targetim të nevojave strukturore”, shtoi Ministri Hamza.
Sipas tij, “Prioritetet e reformave strukturore të këtij programi për periudhën afatmesme kombinojnë prioritetet e programit të kaluar me drejtime të reja strategjike në bazë të programit qeverisës. Këto prioritete konsiderohen si më të nevojshmet për të adresuar pengesat kryesore për rritjen ekonomike dhe ngritjen e konkurrueshmërisë”.
Përzgjedhja e masave për nëntë fushat e përcaktuara nga Udhëzuesi i Komisionit Evropian është bazuar në studimet e mëhershme për diagnostifikimin e rritjes që janë përditësuar me të dhëna dhe studime të reja. Masat e përzgjedhura janë shqyrtuar në kuadër të një dialogu gjithëpërfshirës të politikave me strukturat qendrore dhe lokale të qeverisjes, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Në përgjithësi, ato rrjedhin nga Programi i Qeverisë 2017-2021, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Agjenda për Reforma Evropiane dhe strategjitë përkatëse sektoriale. Përfitimi nga ky program është se kemi arritur që të fuzionojmë perspektiva të shumta në një plan të thjeshtë masash të matshme, shtoi Ministri Hamza.
Ai gjithashtu theksoi se këto masa adresojnë pengesat kryesore në fushën e mjedisit afarist, si: furnizimin me energji elektrike, barrierat administrative për leje dhe licenca, efikasitetin e zgjedhjes së çështjeve pronësore.
“Natyrisht, draft dokumenti që ju është dërguar ju, dhe që pas diskutimeve dhe inputeve të marra nga ana e juaj do të finalizohet, analizon në detale gjendjen e tanishme dhe identifikon masa konkrete për reforma strukturore në nëntë fusha me prioritet si: Menaxhimi i Financave Publike, fusha e energjisë dhe transportit, sektorët strategjik si bujqësia, industria dhe shërbimet, mjedisi biznesor dhe ulja e ekonomisë joformale, inovacioni dhe ekonomia digjitale, tregtia, arsimi, tregu i punës, përkujdesi social. Në secilën nga këto fusha me prioritet, janë identifikuar masa konkrete për reforma dhe përmirësime në vitin që kemi filluar dhe vitet në vijim”, shtoi Ministri Hamza.
Ndërsa, udhëheqësi i sektorit politik nga zyra e Bashkimit Evropianë në Kosovë Riccardo Serri, tha se ky është një proces që ndihmon Kosovën në disenjimin e politikave ekonomike dhe sociale më të përshtatshme, më të besueshme dhe më të përballueshme për implementimin e reformave. Sipas tij, BE-ja nuk angazhohet në çdo vend por angazhohet vetëm në vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit.
Ai gjithashtu bëri të ditur se drafti i parë i këtij dokumenti është duke u shqyrtuar nga Komisioni Evropian.
“Shtetet tona anëtare kanë mundësinë që në një farë mënyre të përfshihen dhe kështu ata kanë dhënë disa komente. Në kontekstin e konsultimit, i cili është i hapur tani, gjatë muajit të ardhshëm do të kalojmë në vlerësimit e mëtejshëm të dokumentit përfundimtar”, shtoi udhëheqësi i sektorit politik nga zyra e Bashkimit Evropianë në Kosovë, Riccardo Serri.
Në këtë takim, drejtori i Departamentit për Politika Makroekonomike Behxhet Haliti prezantoi “Parashikimin Makroekonomik 2018-2020”, si dhe përfaqësuesi i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës Vedat Sagonjeva, prezantoi “Prioritetet e reformave strukturore” në kuadër të “Programit për Reforma në Ekonomi 2018 – 2020”.