Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i shoqëruar nga shefi i kabinetit dhe këshilltari i lartë, Bajram Gecaj, kanë vizituar Institutin e Kosovës për Administratë Publike, ku u prit nga drejtoresha e Përgjithshme e Institutit, Refike Sulçevsi dhe drejtori i administratës, Bujar Thaqi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë për së afërmi objektin e ri të IKAP-it, i cili tashmë është funksional dhe ka kapacitetet e plota për ofrimin e trajnimeve për zyrtarët e administratës publike të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u bë e ditur se trajnimet do të fillojnë pas marrjes së dritës së gjelbër nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, pasi që momentalisht trajnimet janë pezulluar për shkak të parandalimit të përhapjes së Covid 19.
Gjatë kësaj vizite, ministri Veliu theksoi se përfundimi i objektit të ri të IKAP-it është shumë i rëndësishëm dhe është në përputhje me reformën në administratën publike, duke pasur parasysh që është një ndër kriteret për përmbushje të standardeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në BE.