Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu mori pjesë në Konferencën Ministrore për luftimin në mënyrë efektive të migrimit të parregullt, përgjatë rrugës së Mesdheut Lindor. Konferenca u mbajt online dhe u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë, ku morën pjesë ministrat e disa shteteve të BE-së, Zvicrës, përfaqësues të Bashkimit Evropian, organizata ndërkombëtare dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Veliu gjatë fjalës së tij në këtë konferencë ndërkombëtare, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës aplikon një qasje pro-aktive duke përcjellë zhvillimet me migrantë në rajon dhe më gjerë dhe se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhim të ndonjë fluksi të mundshëm me migrantë.
“Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë ofruar kujdes të vazhdueshëm dhe trajtim të barabartë ndaj të gjithë migrantëve dhe azil-kërkuesve gjatë zbatimit të masave për menaxhimin e pandemisë COVID-19”, theksoi ministri Veliu.
Ministri Veliu kërkoi mbështetje në kthimin e migrantëve të parregullt në vendet e origjinës, në veçanti me ato shtete me të cilat nuk ka nënshkruar marrëveshje bilaterale të ripranimit, identifikimin e vendit të origjinës së migrantëve të parregullt, si dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e migrimit dhe bashkëpunimit policor.
Në përfundim, Ministri Veliu theksoi që institucionet e zbatimit të ligjit kanë treguar rezultate konkrete në parandalimin dhe luftimin e kontrabandimit me migrantë dhe se janë të gatshme që të rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit dhe mekanizmave të sigurisë, në shkëmbimin e informacioneve dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta në shkatërrimin e grupeve kriminale.
Të gjithë ministrat, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, Forumit të Salzburgut, Danimarkës dhe Greqisë, në prani të Gjermanisë si Presidenca aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian, Zvicrës si partner Shengen, Zëvendës-Presidentit të Komisionit Evropian për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetesës, Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Drejtorit Ekzekutiv të EASO, Zëvendës Drejtorit Ekzekutiv të Frontex, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ICMPD, miratuan Deklaratën për: “Situatën në kufijtë e jashtëm të BE”.