Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, ku është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya.
Në këtë takim, ministri Sveçla vlerësoi marrëdhënien e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, ndërsa u diskutua edhe për sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë, në të cilat Turqia ka shënuar arritje mbresëlënëse.
Ministri Sveçla me këtë rast ka falënderuar Republikën e Turqisë, e cila ka mbështetur Republikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, e përgjatë gjithë procesit të shtetndërtimit, veçanërisht në fushën e sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike.
Gjatë këtij takimi, në frymën e gatishmërisë për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe arritjet në fushat që ministritë e dy vendeve mbulojnë, ministri Sveçla ka kërkuar që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në ekspertizat specifike, që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës. /2LONLINE/