Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Uran Ismaili pranoi sot detyrën e re në krye të Ministrisë së Shëndetësisë nga ish-Ministri në detyrë Imet Rrahmani.
Në takimin e pranim-dorëzimit të detyrës, Ministri Uran Ismaili tha se në këtë takim është diskutuar për sfidat që i ka sektori i shëndetësisë, prioritetet e vendosura dhe se do të jetë i përkushtuar për vazhdimin e punëve të mira në shëndetësi , duke u angazhuar për përmirësimin e pozitës së punonjësve shëndetësore, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe një kujdes të shtuar për pacientët.
“Shëndetësia është një brengë e madhe e të gjithë ne, prandaj do të angazhohemi që t’i japim prioritetin që e meriton edhe si institucione, duke punuar me nder dhe me shumë vullnet, për t’iu përgjigjur sfidave që i ka sektori”, tha Ministri Ismaili.
Ish-Ministri Rrahmani ndërkaq e ka njoftuar Ministrin Ismaili me punët gjatë mandatit të tij, sfidat e sektorit dhe projektet në vazhdimësi.
Ai i ka dëshiruar suksese Ministrit Ismaili në përmbushjen e obligimeve me qëllim të përparimit të sektorit të shëndetësisë.