Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se janë bërë punë të rëndësishme në përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë, në hapjen e Forumit Frankofon, që u organizua nga Klubi Afarist Frankofon në Prishtinë.
Ministri Shala theksoi se vendet frankofone janë ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të Kosovës.
“Kosova ka sfida të mëdha përpara vetës si një vend i ri, por kemi bërë hapa të rëndësishëm në adresimin e tyre. MTI sa i përket kompetencave të veta kemi bërë punë të rëndësishme në përmirësimin e klimës së biznesit, siç ka treguar raporti i fundit i Bankës Botërore. Edhe këtë vit ne presim të renditemi më lartë sa i përket të përmirësimit të klimës së biznesit. Vendet frankofone janë ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të vendin tonë dhe jam i lumtur sot t’ju them se kemi krijuar hapësirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, përmes krijimit të kushteve që këta investitorë ta kenë Kosovën një vend ideal për investime”, tha Shala.
Ministri ka treguar se në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike ka të interesuar edhe biznese frankofone për të investuar në Kosovë.
“Tashmë kemi jetësuar Ligjin për Investime Strategjike, edhe pse ka pasur disa vështirësi dhe jemi duke i adresuar ato. Jam i nderuar t’ju them se do të kemi së paku një investitor francez që do të hyjë në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike dhe do të investojë në energji të ripërtritëshme. Kjo do të ndikojë direkt në arritjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në mënyrë që të arrijmë 20 përqindëshin e prodhimit të energjisë së ripërtritëshme”, ka theksuar Shala.
Sipas ministrit Shala, po punohet shumë edhe në rritjen e tregtisë me vendet frankofone, duke eliminuar të gjitha barrierat e mundshme tregtare.
“Ne po punojmë shumë që ta rrisim tregtinë me vendet frankofone dhe tanimë kemi iniciuar bashkëpunimin me vendet e EFTA-së dhe në fund të nëntorit të këtij viti unë do të nënshkruaj një memorandum bashkëpunimi me këto vende, që do të jetë si hap i parë para arritjes së një marrëveshje të tregtisë së lirë. Kjo shkon paralel me marrëveshjen e stabilizim asocimit që e kemi nënshkruar me Bashkimin Evropian, prandaj jemi të interesuar që të gjitha barrierat tregtare që ekzistojnë në mes vendit tonë dhe vendeve frankofone t’i eliminojmë”.
Ministri Shala ka thënë se është shumë i interesuar që t’i adresojë nevojat e bizneseve, duke inkurajuar bizneset frankofone të investojnë në Kosovë.
“MTI në bashkëpunim me ministritë tjera të linjës jemi të interesuar t’i adresojmë nevojat e bizneseve në mënyrë që ta përgatisim fuqinë punëtorë për nevojat e biznesit. Unë ju inkurajoj juve si forum që të vini të investoni në Kosovë dhe ta gjeni mundësin për të investuar. Ju them me përgjegjësi të plotë se për çdo lloj vështirësie që keni unë dhe MTI do të jemi avokati juaj për çdo problem që keni”, ka thënë Shala.