Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nisur aksionin për asgjësimin e lodrave që janë konfiskuar për shkak se nuk i kanë plotësuar standardet.
MTI ka dërguar mostrat e lodrave për analiza në Holandë dhe rezultatet që kanë ardhur kanë qenë jashtë standardeve normale, për këtë arsye ministri Shala ka marr vendin që të gjitha lodrat që me veti fizike dhe kimike janë të dëmshme për fëmijët tanë të asgjësohen.
Shala ka thënë se fëmijët më nuk do t’iu ekspozohen lodrave të rrezikshme sepse të gjitha importet që nuk kanë certifikata të cilësisë sipas standardeve të BE-së nuk do të lejohen të futen në tregun e Kosovës.
“Sot kam ardhur me përcjell për së afërmi edhe fazën e fundit, asgjësimin e lodrave dhe përmes mediave ta dërgojmë mesazhin te të gjithë qytetarët e Kosovës që ne kemi filluar kontrollin e tregut dhe fëmijët tanë nuk do t’iu ekspozohen më lodrave të rrezikshme. Ne jemi të përkushtuar që të kemi një kontroll të detajuar të cilësisë së produkteve në tregun e Kosovës. Dua të iu njoftoj se deri tash kemi konfiskuar 17 mijë njësi të lodrave të rrezikshme dhe në bashkëpunim me doganën e Kosovës kemi ndaluar 17 importe në kufi. Gjithashtu sot jam informuar nga inspektorati se është ndaluar edhe një sasi tjetër e cila ka tentuar që të zhdoganohet dhe të futet në tregun e Kosovë”, ka theksuar ministri Shala.
Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, fokusi do të jetë mbrojtja e konsumatorit në raport me cilësinë e mallrave.
“Fokus i imi do të jetë mbrojtja e konsumatorit në raport me cilësinë e produkteve, dhe përveç rritjes së inspektimeve në tregun e brendshëm, ne gjithashtu në bashkëpunim me doganën po parandalojmë futjen në treg të çfarëdo malli që mund të jetë i rrezikshëm për përdorim nga ana e konsumatorit”, tha ministri Shala.
Ministri ka kërkuar nga të gjithë tregtarët që të mos importojnë në Kosovë mallra që nuk i plotësojnë standardet dhe mund ta rrezikojnë shëndetin e fëmijëve.
“I thërras të gjithë tregtarët që të kenë kujdes në produktet që i importojnë, dhe i shesin në tregun e Kosovës, të jenë të certifikuara dhe sipas standardeve të BE-së që të mos e rrezikojmë shëndetin e fëmijëve”, ka thënë ministri Shala.