Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, gjatë qëndrimit në Kroaci, vizitoi edhe Akademinë Ushtarake dhe Qendrën e Përgjithshme të Zhvillimit Ushtarak ,,Dr. Franjo Tuxhman’’ ku u prit nga gjenerali Mate Padjen me bashkëpunëtorë, si dhe zhvilloi një takim me kadetët e FSK-së të cilën po vijojnë shkollimin profesional atje.
Me këtë rast, ministri Berisha u njoh nga afër për kapacitetet shkollore, edukative, arsimore dhe trajnuese të Qendrës së Përgjithshme për Zhvillim Ushtarak, si dhe me kuadrin profesional dhe me mundësitë që ofron kjo qendër për Kosovën në përgatitjen dhe shkollimin e kuadrit ushtarak.
Ministri Berisha zhvilloi një takim të përbashkët me kadetët e FSK-së, që studiojnë në këtë akademi, të cilët i përgëzoi për arritjet e tyre shkencore dhe i inkurajoi që të vazhdojnë më sukseset e tyre në dobi të detyrave që i presin, në të ardhmen në FSK, pas përfundimit të studimeve të tyre.
Kadetët e FSK-së u shprehen mjaft mirënjohës për vizitën e ministrit Berisha dhe njëherazi i paraqitën atij disa kërkesa procedurale për të cilat ata kanë nevojë gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Kroaci.