Me mirënjohje për kontributin e dhënë për shëndetësinë kosovare, gjatë kohës së okupimit është nderuar z. Shaban Svirca, shtëpitë e të cilit u përdorën për Maternitetin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” që nga viti 1996 e deri në vitin 1999, si dhe profesorët Hysen Sherifi dhe Emrush Kryeziu.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Imet Rrahmani, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, i ndau sot mirënjohje z. Shaban Svirca, për kontributin e tij të dhënë për shëndetësinë kosovare, gjatë kohës së okupimit.
Z. Svirca u nderua me mirënjohje për lëshimin e shtëpive të tij gjatë kohës së okupimit të cilat u përdorën për Maternitetin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” që nga viti 1996 e deri në vitin 1999, kur ishte mbyllur dhunshëm nga okupatori serb.
Me rastin e ndarjes së kësaj mirënjohjeje, Ministri Rrahmani, tha se mirënjohja z. Sfirca po i ndahet në shenjë respekti e falënderimi për të dhe familjen e tij për kontributin që ata kanë dhënë për shëndetësinë kosovarë në vitet e rënda të okupimit.
“Të linden e trajtohen mbi 13 000 fëmijë në ato kushte ishte diçka që pak kush ka mundur ta bëjë”, tha Ministri Rrahmani duke vlerësuar se një mirënjohje të tilla z. Shaban Svirca dhe familja e tij a kanë merituar kaherë.
Nga ana e tij, z. Sfirca, tha se ndarja e kësaj mirënjohjeje, për të dhe familjen e tij është më e dashura pas mirënjohjes së ndarë më parë nga Presidenti Rugova, “me që kjo mirënjohje po më ndahet nga institucionet e shtetit tonë nga Ministria dhe vet Ministri i Shëndetësisë”.
Ai tha se ndihet krenar që ka pasur mundësinë që në vitet e vështira të okupimit të ofrojë shtëpitë e tij për shëndetësinë dhe arsimin në Kosovë, me që nëpër ato shtëpi përveç veprimtarisë shëndetësore ishte zhvilluar edhe procesi mësimor , pasi pushteti i atëhershëm serb kishte larguar nga institucionet personelin mjekësor dhe mësimdhënësit.
Familja Svirca në periudhën 1996-1999 kishte ofruar shtëpitë e tyre falas për maternitetin, ndërsa gjatë atyre viteve hapësirat ishin zgjeruar dhe përshtatur për të krijuar hapësira të nevojshme prej dhomave të thjeshta deri te sallat e operacionit dhe kujdesit intensiv.
Më 26 gusht të këtij viti ndërkaq, Materniteti i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, do të shënojë 21 vjetorin e themelimit.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, me mirënjohje për kontributin në shëndetësi, Ministri Rrahmani ka nderuar edhe profesorët Hysen Sherifi dhe Emrush Kryeziu.