Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka pritur sot një delegacion të projektit rajonal IPA 2017, të udhëhequr nga Gjeneral Gennaro Capoluongo, Udhëheqës i projektit rajonal IPA 2017: “Luftimi i Krimeve Serioze ne Ballkanin Perëndimor”, të cilët ishin në shoqëri të ambasadorit italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Në këtë takim ministri Mustafa fillimisht falënderoi delegacionin për vizitën dhe për mbështetjen konkrete që janë duke dhënë në ndihmë të drejtorisë së Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar dhe drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë së Kosovës.
Më këtë rast ministri Mustafa shprehi gatishmërinë e tij për mbështetje politike të MPB-së për Policinë e Kosovës, me qëllim që Policia e Kosovës të rrisë bashkëpunimin që parashihet përmes këtij projekti rajonal në luftimin e krimit të organizuar.
Ndërsa udhëheqësi i projektit Gjeneral Gennaro Capoluongo, falënderoi ministrin Mustafa për gatishmërinë që edhe Policia e Kosovës të jetë ndër përfituesit, si të gjitha autoritetet policore të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shtetasit e gjithë rajonit, të cilët do të përfitojnë për një ambient më i sigurt dhe të menaxhuar mirë.
Në kuadër të veprimtarisë së përgjithshme në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë- Departamenti i Sigurisë Publike ka nënshkruar një kontratë për të përforcuar bashkëpunimin mes forcave të policisë dhe autoriteteve tjera të zbatimit të ligjit, me qëllim që të krijohet një ambient i sigurt në gjithë rajonin dhe rrjedhimisht edhe në Bashkimin Evropian.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë sigurinë e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe BE-së, duke luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.