Në vazhdën e vizitave në Familjet e dëshmorëve të kombit, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, vizitoi familjet e dëshmorëve në vendbanimet e pjesës veriore të vendit tonë.
Me këtë rast, ai vizitoi familjen e dëshmores, Fatime Hetemi, në Veri të Mitrovicës, familjen e dëshmorit Bislim Ademi, në Cerajë të Leposaviqit, familjen e dëshmorit Kadri Kadriu në lagjen Kroi i Vitakut në Veri të Mitrovicës, dhe familjen e dëshmorëve Kadrije Uka dhe Fahredin Uka, në Çabër të Zubin Potokut.
Gjatë këtyre vizitave, Ministri Mehaj u pritë ngrohtësisht nga familjarët dhe të afërmit e tyre, duke u vlerësuar lartë vizita e tij, në këtë ditë feste, dhe domethënies së veçantë të vizitës së Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Vlerësimi i lartë i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe flijimit të tyre nga kjo anë e vendit tonë, bashkë me evokimin e kujtimit dhe nderimit për ta, ishin qëllimi i kësaj vizite.
Gjithashtu në të gjitha vizitat, Ministri Mehaj theksoi se, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK janë institucionet e vendit që janë të përkushtuara maksimalisht të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sepse e kemi obligim kushtetues dhe ligjor, që ishte edhe ideali i gjithë dëshmorëve e martirëve të Kombit. /2LONLINE/