Me qëllim të njohjes nga afër, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj inspektoi sot njësitë e FSK-së të angazhuara prej 10 ditësh në kuadër të Stërvitjes “Defender-Europe 21” në Babaj i Bokës.
Me këtë rast, ministri Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe atasheu amerikan i mbrojtjes, kolonel Stephen Rose u njoftua nga përgjegjësit e stërvitjes për operacionet stërvitore, bashkëpunimin e ngushtë me ushtarakët amerikanë si dhe të arriturat dhe sfidat e identifikuara dhe vlerësuara gjatë stërvitjes.
Ministri Mehaj, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për nivelin e planifikimit, organizimit dhe ekzekutimit të stërvitjes duke shprehur besimin e plotë në realizimin e suksesshëm të qëllimit kryesor – validimin e komponentes së parë ushtarake të FSK-së për mbrojtjen e territorit.
Ai shprehu përgëzimet më të larta për nivelin e lartë profesional të pjesëtarëve të FSK-së, mbështetjen e jashtëzakonshme të ushtarakëve amerikan si dhe atë të bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë. /2LONLINE.com/