Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zëvendës-komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, priti sot në takim lamtumirës shefin e këshilltarëve të NALT-it, kolonelin amerikan, William Woodrad.
Me këtë rast, ministri Mehaj, e dekoroi kolonel Woodrad me medaljen “Shërbim i shquar” për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, gjatë kohës sa ka shërbyer në NALT.
Në këtë takim lamtumirës, ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e kolonel Woodard, përveç tjerash, edhe në koordinimin efektiv me NALT, duke besuar se një bashkëpunim i ngjashëm do të vazhdojë edhe më tutje nga pasardhësi i tij, i cili pritet të emërohet së shpejti.
Gjithashtu, edhe gjeneral major Enver Cikaqi, me motivacion për vizion strategjik, udhëheqje dhe përkushtim të lartë në zhvillimin e FSK-së, e dekoroi kolonelin Woodard me medaljen “Shërbim vetëmohues”.
Nga ana e tij, kolonel Woodard vlerësoi lartë të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke shprehur besimin në realizimin e suksesshëm të vizionit të ministrit të Mbrojtjes. /2LONLINE.com/