Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari pritën Zëvendës Komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), Gjenerallejtënant Michael L. Howard.
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën sot në takime të ndara Zëvendës Komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), Gjenerallejtënant Michael L. Howard me delegacionin e tij.
Me këtë rast, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari shprehën kënaqësinë për vizitën e Gjeneral Howard, duke e njoftuar atë me të arriturat e deritashme dhe proceset zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe objektivat për të ardhmen.
Të dy theksuan rëndësinë shumë të madhe të mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së, përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe Ushtrisë Amerikane, si dhe bashkëpunimin dhe sinkronizimin e ngushtë me ta.
Nga ana e tij, Gjeneral Howard, shprehu vlerësimin e lartë për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe siguroi ata për mbështetjen në proceset zhvillimore edhe në të ardhmen.
Ndër të tjera, në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik global, si dhe reflektimin e tyre në mjedisin e sigurisë rajonale.
Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari i ritheksuan qëndrimin Gjeneralit Howard se Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë SHBA-së dhe aleatëve të saj, në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global. /2LONLINE/