Sesioni i dytë për këtë vit, i dhurimit vullnetar i gjakut ka filluar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK. Ky aktivitet, tashmë tradicional, është bërë në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Me këtë rast, personeli civil dhe ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes i është përgjigjur pozitivisht këtij aksioni, ku nga grumbullimi i gjakut shpëtohen jetë, pra, ndihmohen pacientët në nevojë të vendit tonë.
Këtij aksioni vullnetar i është përgjigjur edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili dhuroi gjak së bashku me stafin e tij.
Ai me këtë rast përgëzoi ushtarakët dhe stafin civil për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar ata që janë në rrezik jete, duke shtuar se të dhurosh gjak është akt shumë i lartë human.
Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëpër të gjitha kazermat e FSK-së.
Dhurimi vullnetar i gjakut është aktivitet i planifikuar dy herë në vit në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK dhe po ashtu, pjesëtarët e FSK-së gjithnjë janë të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut për nevojat e rasteve emergjente. /2LONLINE/