Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ozkan Ulutas, me të cilin diskutuan për tema aktuale dhe të rëndësishme për vendin, me veçanti atë rreth situatës së sigurisë.
Ministri Maqedonci me këtë rast shprehu mirënjohjen për kontributin e KFOR-it në sigurinë e vendit dhe më gjerë, në veçanti për shtimin e patrullimeve në vijën kufitare me Serbinë, pas situatës së krijuar në fund të shtatorit të vitit të kaluar. Po ashtu, në këtë takim, ministri Maqedonci e informoi komandantin e KFOR-it lidhur me proceset aktuale nëpër të cilat po kalojnë Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, me ç’rast komandanti i KFOR-it theksoi se është i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit që ka me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në kuadër të mandateve që kanë, e po ashtu dhe me të gjitha institucionet tjera të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Ata u pajtuan për vazhdimin e kontakteve si dhe koordinimit të ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët, në kuadër të zhvillimeve aktuale dhe ndikimit të tyre në mjedisin e sigurisë. /2LONLINE/