Në vazhdim të vizitës në Gjermani, ku është duke qëndruar me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu dhe me bashkëpunëtorë, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, pos anës zyrtare, po përpiqet që ta shfrytëzojë për kontakte edhe me përfaqësuesit e diasporës në Gjermani.
Lekaj synon të sheh nga afër sukseset e diasporës atje, ngase ajo, sipas tij, paraqet një potencial të jashtëzakonshëm investues, për të cilin së shpejti do të krijohen mundësitë që ato investime t’i rrisin dhe t’i orientojnë në Republikën e Kosovës.
“Vizita në Gjermani, përveç që përmban anën zyrtare, po mundohemi që të kemi kohë për të parë nga afër edhe sukseset e diasporës tonë. Një potenciali të jashtëzakonshëm i cili se shpejti do të krijohen mundësitë që këto investime t’i rrisin dhe t’i orientojnë në Republikën e Kosovës. Kështu ishte disponimi i bashkëqytetarëve tonë, të cilët me të drejtë dhe me plotë zhgënjim deklaruan se deri tani në Kosovë nuk kanë patur partner dhe mundësi partneriteti me shtetin e vet, me Kosovën”, ka thënë Lekaj.
“Iu garantova se prej tani, në Kosovë e kanë shtetin, dhe që do të bëjmë çdo gjë që është e mundur e ligjore që t’i ngrohim raportet në mes të Kosovës dhe diasporës së saj, sepse vetëm kështu mund t’ia arrijmë synimit për zhvillim ekonomik e për punësim të rinisë”, ka thënë tutje ai.
“Faleminderit që na e zbardhni fytyrën, jo vetëm në Gjermani, por në tërë Evropën, KELMENDI GMbH në Essen Import – Eksport të produkteve nga Kosova dhe “ROGRO” në Iserlohn, fabrikë për dyer dhe dritare, të cilët punësojnë me dhjetëra shqiptarë dhe promovojnë vendin e vet, Kosovën”, ka thënë minsitri Pal Lekaj.