Ministri i Financave Agim Krasniqi priti sot në takim Zëvendësauditorin e jashtëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë Magnus Lindell.
U diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe ndihmën e ofruar nga Auditori i jashtëm dhe Zyra kombëtare e Auditimit të Suedisë për institucionet e Kosovës, si dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm drejt arritjes së menaxhimit të drejtë dhe të mirëfilltë të parasë publike.
Në këtë takim gjithashtu u bë e ditur se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjithmonë ka luajtur rol të rëndësishëm në identifikimin e nevojave për ndryshime, duke siguruar kështu një transparencë dhe llogaridhënie më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ministria e Financave ka koordinim të vazhdueshëm me ZKA-në, duke krijuar kështu një praktikë të mirë në identifikimin e nevojës për përmirësim në aspektin e shfrytëzimit racional të parasë publike.
Gjatë takimit palët u dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për ngritjen e kapaciteteve në Kosovë sa i përket auditimit dhe kontrollit në shfrytëzimin e parasë publike.