Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, po qëndron sot në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku u takua me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Ambasadorin, Frédéric Mondoloni.
Me këtë rast ministri Sveçla e falënderoi z. Mondoloni, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Ministri Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Padyshim se theks të veçantë i’u kushtua edhe rëndësisë së liberalizimit të vizave, duke ritheksuar kërkesën që qytetarët e Kosovës të mos mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në Ballkan.
Ndërsa Ambasadori Frédéric Mondoloni, rikonfirmoi vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore.