Me ftesë të partnerëve britanikë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës vizituan panairin e Mbrojtjes dhe Sigurisë (DSEI) në Londër.
Në suaza të vizitës, Ministri Maqedonci dhe Gjenerallejtënant Jashari të shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, SH.T. Ilir Kapiti, Atasheu i Mbrojtjes së Kosovës në Londër, Atasheu Ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë u takuan me Ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, z.James Heappey.
Fokus i takimit ishte njoftimi me Ministrin Maqedonci dhe diskutimet në funksion të partneritetit dhe aktiviteteve në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.
Ministri dhe Komandanti i FSK-së, falënderuan Ministrin Heappey dhe Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe FSK-në.
Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës qëndrojnë të palëkundur dhe të përkushtuar në partneritetin afatgjatë me Mbretërinë e Bashkuar. /2LONLINE/