Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, pas Vitisë e Gjilanit vizitoi edhe Komunën e Kamenicës. Këto vizita u bënë në kuadër të bashkëpunimeve ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, ku edhe u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në mbështetje të projekteve infrastrukturore për qytetet e lartpërmendura.
Ministri Pal Lekaj, vizitoi komunën e Kamenicës. I pritur nga udhëheqësi i kësaj komune, Qëndron Kastrati, ministri Lekaj i ofroi kësaj komune përkrahjen e nevojshme infrastrukturore.
Në këtë vizitë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi, pra, mbështetje që Ministria e Infrastrukturës i ofron kësaj komune. Ministri Lekaj në fjalimin e tij thënë mediave, theksoi se Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë rrugore dhe jo vetëm sa për të hedhur asfalt.
“Ne sot me z. Kastrati, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për mbështetje financiare në infrastrukturë rrugore. Ne u zotuam para kryetarit dhe para bashkëpunëtorëve, se ne do të jemi mbështetës në infrastrukturën rrugore si Qeveri e Kosovës, e në këtë rast si Ministri e Infrastrukturës dhe na bënë të ndihemi mirë që sado pak, mund të përmirësojmë kushtet në infrastrukturë, e të cilat kanë ndikim pozitiv për qytetarët e Kamenicës. Vlen të theksohet që Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë rrugore dhe jo vetëm sa për të hudhur asfalt. Ne biseduam edhe me kryetarin e Kamenicës, që në të ardhmen të kenë infrastrukturë rrugore edhe aty ku do të mund të zhvillohet turizmi”, deklaroi ministri Lekaj.
Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e falënderoi ministrin Lekaj për vizitën e bërë si dhe për mbështetjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës, duke uruar që të ketë një mbështetje edhe më të madhe.