Në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës sot, pas vizitës së ministrit të arsimit në këtë rajon, është protestuar, duke kërkuar që nxënësit e kësaj ane të kenë tekste mësimore në gjuhën shqipe.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Sërgjan Verbiq, gjatë qëndrimit në Bujanoc, në shkollën fillore “Naim Frashëri”, ka bërë ndarjen e disa teksteve në gjuhën shqipe dhe serbe.
Gjatë prononcimit për media është kërkuar nga gazetarët që ministri të jap shifrat e sakta të librave si dhe për cilët lëndë janë dhuruar ato, duke potencuar se deklarata e djeshme e kryeministrit Aleksandar Vuçiq se Serbia ka përmbushur obligimet ndaj nxënësve shqiptar nuk është e saktë?
“Mund të them se gjithsejtë janë 2.400 tekste shkollore të kanë arrit për Bujanoc, Preshevë e Medvegjë dhe kjo është ajo që është paraparë me programin e teksteve pa pagesë. Nuk kamë shënimet se sa libra për secilën lëndë kanë arritur, mirëpo këtë duhet ta ketë përfaqësuesi i administratës së shkollës”, u shpreh ministri Verbiq, raporton Titulli.
Nga ana tjetër drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri”, Hevzi Aliu, mes tjerash tha se marrja e këtyre librave pa pagesë nga Ministria e Arsimit është një ndihmesë për ato familje që nuk i kanë pas kushtet t’ia blejnë fëmijëve librat.
“Ne i kemi marrë librat pa pagesë që na kanë ardh nga Trupi Koordinues, libraria ‘Albas’ nga Presheva. Jemi të kënaqur për momentin, mendojmë për ato familje dhe fëmijë të cilët nuk i kanë pas kushtet t’i blejnë me pagesë. Trupi Koordinues ka dhënë çantat me një pjesë të pajisjeve shkollore”, u shpreh drejtori Hevzi Aliu duke shtuar se librat dhe çantat janë ndarë për 55 nxënës.
Ministri nga kjo shkollë u përcoll me vendosjen e pamfleteve në oborrin e këtij institucioni arsimor nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë, në të cilën përskaj fotografisë së kryeministrit Vuçiq, ministrit Verbiq dhe kryetarit të Trupit Koordinues (TK) Zoran Stankoviq, ishte shkruar “Shkatërruesit e shkollave shqipe”, ndërsa nën foton e qeveritareve ishin edhe liderët politik të Luginës së Preshevës.
“Nuk lejojnë libra në shkolla, lejojnë keqpërdorime nëpër shkolla”, “Nuk pranojnë diploma nga Kosova lejojnë diploma të bleme”, thuhej në tekstin që i drejtohej kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të TK-së.
Ndërsa, në mesazhin drejtuar liderëve politik të Luginës thuhej: “Jemi viktima edhe milioner, emërojmë drejtora, punësojmë familjar, blejm diploma. Teknikën unë, Gjimnazin ti”, “Problemi jeni ju, me ju shkolla nuk ka”.
Ndryshe nga deklarata e ministrit serb prindërit që sot për herë të parë përcollën fëmijët e tyre në shkollë me anonimitet thanë se “ndarja e nga dy tre librave nuk përmbushë nevojat themelore sikurse as premtimin e dhënë nga kryeministri për sigurimin e librave”.
Përndryshe, në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë nxënësit si dhe mësimdhënësit nga ora 10:00 deri në orën 12:00 kanë protestuar me qëllimin e vetëm pajisjen me libra në gjuhën shqipe.
Për disa vite me radhë procesi mësimor në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës zhvillohet në mungesë të teksteve mësimore, duke punuar me alternativën tjetër, marrjen e shënimeve
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=3177