Ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.
Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore falendëruan Ministrin Avdullah Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështejtje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat projekte tani më janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.
Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin “Kosova e Re”, për çka Banka Boterore ri-konfirmoi zotimin e tyre për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi.
Po ashtu u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioroitetet e Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final.
Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu morri pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombetar Monetar dhe në Bankën Botërore.
Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar Ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me “Global Partnership For Social Accountability”.