Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi, priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, ku u diskutua rreth zgjidhjes së qartë të statusit të zjarrfikësve.
Me këtë rast ministri vlerësoi të drejtën e zjarrfikësve për të protestuar në mënyrë paqësore në kërkimin e të drejtave të tyre me mjete demokratike, ndërkohë që i njoftoi për angazhimet e fundit sa i përket zgjidhjes së statusit të tyre.
Ministri Gashi theksoi se është duke bërë përpjekje maksimale që brenda këtij viti të gjejë një zgjidhje sa i përket statusit të zjarrfikësve. Ai tha se tashmë jemi në fazën e fundit të gjetjes së një zgjidhje optimale për zjarrfikësit, në mënyrë që krahas cilësisë së reagimit që kanë këta trupa, të kenë edhe statusin e tyre të pranueshëm.
Po ashtu ministri Gashi vlerësoi profesionalizmin e zjarrfikësve në Kosovë që përkundër kushteve me të cilat veprojnë zjarrfikësit, të gjitha rastet e paraqitura tek këto njësi i janë përgjigjur me profesionalizëm.