Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Rrustem Berisha priti në takim, për herë të parë, ambasadorin fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe ambasadorit O’Connell u bisedua lidhur me marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Ministrisë për FSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, duke u zotuar për vazhdimin, avancimin dhe intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.
Me këtë rast, ministri i FSK-së Berisha duke e falënderuar ambasadorin britanik për vizitën, e njoftoi shkëlqesinë e tij, ambasadorin Ruairi O’Connell për gjendjen e trashëguar në Ministri dhe Forcë si dhe për vizionin e tij politik dhe të lidershipit të Ministrisë dhe Forcës për të ardhmen, duke i shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Qeveria dhe populli britanik ka dhënë për FSK-në me zotimin se e ardhmja e FSK-së dhe planet për zhvillimin e Forcës do të bëhen në koordinim të plotë me partnerët strategjikë dhe me NATO-n.
Ministri Rrustem Berisha, foli gjithashtu për gjendjen e tanishme në Ministri dhe Forcë, planet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, duke u shprehur se procesi i transformimit të FSK-së në FAK do të jetë plotësisht transparent dhe në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar etj., si dhe do të punohet ngushtë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të të gjitha komuniteteve, për t’i bindur ata, se Forca e Armatosur e Kosovës do të jetë Forcë e cila garanton sigurinë e Kosovës dhe popullit të saj pa dallim.
Nga ana e tij, ambasadori Ruairi O’Connell duke uruar ministrin Berisha për detyrën e re, u shpreh se marrëdhëniet e mira ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, e gjithashtu edhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet ministrive dhe dy Forcave tona.
Shkëlqesia e tij, ambasadori O’Connell për çështjen e transformimin të FSK-së tha: ,,Vendimin për transformimin e FSK-së në FAK, Kosova duhet ta marrë në bashkëpunim me NATO-n, duke u shprehur se siguria e Kosovës varet nga marrëdhëniet me NATO-n’’.
Në takimin e përbashkët të të dyja delegacioneve ishte i pranishëm edhe atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë i akredituar edhe për Kosovë, nënkolonel Richard Perry, i cili gjatë takimit u fokusua në fushat konkrete të bashkëpunimit në mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës, siç janë: Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të KFOR-it, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në marrëdhëniet FSK-NATO, mbështetja e aktiviteteve për komunitetet si dhe mbështetja e Mbretërisë së bashkuar për FSK-në në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë.