Sot, Ministri i FSK-së, Haki Demolli, priti në takim zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, z. Hoyt Brian Yee.
Në takim merrnin pjesë edhe zëvendësministri Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kurse zotin Yee, e shoqëronin atasheu ushtarak i SHBA-ve, në Prishtinë, kolonel Jeffrey H. Fisher dhe këshilltari ushtarak Joshua Rubin.
Me këtë rast, Ministri Haki Demolli, në emër të Ministrisë dhe FSK-së e falënderoi zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, z. Hoyt Yee, për ndihmën që SHBA-të po japin për FSK-në, vlerësoi lartë bashkëpunimin e dy shteteve dhe në veçanti Partneritetin e Bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Ministri Demolli e njoftoi z. Yee edhe me bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar, pjesëmarrjen e FSK-së në shumë trajnime me karakter rajonal, si dhe sukseset e arritura në garat ndërkombëtare.
Gjithashtu ministri Haki Demolli, z. Yee e njoftoi edhe për bashkëpunimin me DIRI-in në procesin e planifikimit të transformimit të FSK-së, si edhe me ecurinë e zhvillimit të procedurave për projektligjin për zgjerimin e misionit të FSK-së.
Nga ana e tij, zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të shtetit për Çështje evropiane dhe euro aziatike, z. Hoyt Yee, falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe përcolli mesazhin se Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK-së me ligj.