Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarin e Përgjithshëm të MFSK-së, Shkëlzen Sylaj dhe një delegacion i lartë i FSK-së, nga data; 09-12 maj 2017, po marrin pjesë në “Panairin e 13-të Ndërkombëtar të Mbrojtjes IDEF 2017” në Stamboll të Turqisë.
Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së, ka zhvilluar takime të rëndësishme dypalëshe me pjesëmarrës të panairit nga ministritë e mbrojtjes të shteteve të ndryshme. Po ashtu takime të nivelit të lartë janë mbajtur edhe me zyrtarë dhe oficer të lartë të ushtrisë së Turqisë. Në këto takime temë e bisedimeve ka qenë rritja dhe thellimi i bashkëpunimit edhe në të ardhmen në fushat me interes të përbashkët.
Gjatë panairit ndërkombëtar, delegacioni i FSK-së, ka vizituar prodhimet e ekspozuara të shumë kompanive ndërkombëtare, që po marrin pjesë në këtë panair, me pajisjet dhe teknikën e tyre ushtarake.
Pjesë e delegacionit të MFSK-së/FSK-së, janë edhe: Drejtori i Operativës dhe trajnimeve gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, këshilltari ushtarak i ministrit kolonel Fadil Hadergjonaj, atasheu ushtarak në Ankara nënkolonel Bekim Osmani, kapiten Jaser Mulla, Florin Hoxha, sekretar i sekretarit të Përgjithshëm dhe Latif Leka shef i kabinetit të ministrit të MFSK-së.