Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Damir Krstiqevic, po qëndron për vizitë zyrtare në Zagreb, Kroaci.
Ministri Berisha, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci Gëzim Kasapolli, atasheu i FSK-së kolonel Skender Hoxha dhe një delegacion i FSK-së, zhvilloi një takim të gjerë me homologët e Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.
Ministri Berisha dhe ministri Krstiqevic biseduan lidhur me situatën aktuale të sigurisë në të dy vendet, në rajon dhe më gjerë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe dy ministrive, Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.
Ministri Berisha njëherësh e njohu homologun Krstiqevic edhe mbi zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë mbi procesin e tranzicionit të FSK-së, procedurat ligjore dhe demokratike që po zbatohen në drejtim të përmbylljes së procesit të tranzicionit të FSK-së, krijimin e bazës ligjore për mandatin e ri të FSK-së, si dhe për detyrat që dalin pas votimit të tri projektligjeve në Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ministri i FSK-së Rrustem Berisha në takim nënvizoi nevojën për avancimin e bashkëpunimit me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe shprehu mirënjohje të lartë për mbështetjen që ka dhënë shteti dhe populli kroat në rrugëtimin e Kosovës, duke veçuar sidomos fushën e edukimit dhe arsimimit dhe atë të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në fund të fjalës së tij, ministri Rrustem Berisha kërkoi mbështetje të fuqishme nga ministri Damir Krstiqevic për anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale dhe globale të sigurisë, duke treguar gatishmërinë e Kosovës për të kooperuar në operacionet për mbështetjen e paqes së bashku me Kroacinë si shtet anëtar me të drejta të plota në Aleancën Veri atlantike.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë gjatë fjalës së tij e ri-konfirmoi edhe një herë gatishmërinë e Kroacisë për mbështetjen e gjithanshme të Kosovës. Ai foli edhe për eksperiencën e vendit të tij dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kroacia. Po ashtu, ministri kroat u zotua se do ta mbështes Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes me teknikë dhe personel, si dhe do ta përkrahë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në iniciativat rajonale, në Iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut-A5 dhe në Rakviak( RACVIAC).