Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takim ambasadoren fuqiplote të Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, zn. Gerrie Willems.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe diplomates holandeze Willems, e cila shoqërohej edhe nga atasheu i Mbrojtjes nënkolonel Theo Pljner, u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Holandës, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës.
Ministri Rrustem Berisha e falënderoi ambasadoren e Mbretërisë së Holandës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Holandës ka dhënë për Kosovën, në veçanti e falënderoi për donacionin e sotëm në pajisje për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës.
Gjithashtu, ministri Berisha e njoftoi diplomaten holandeze edhe mbi të arriturat e FSK-së, kapacitetet, integrimin e gjinisë femërore dhe të komuniteteve në FSK, procesin e tranzicionit dhe planifikimet për të ardhmen. Ai tha se për procesin e tranzicionit të FSK-së në vazhdimësi kemi qenë transparent, i kemi informuar të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë për hapat gjatë këtij procesi’’.
Nga ana e saj, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, zonja Gerri Willams, pasi e përgëzoi ministrin Berisha për sukseset e konfirmoi edhe gatishmërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së dhe Kosovës në përgjithësi.