Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), gjenerallejtënant Rrahman Rama vizituan vendkomandën e ushtrimit fushor ndërkombëtar, në fshatin Koliq të Prishtinës, ku janë të dislokuar pjesëtarët e FSK-së së bashku më pjesëtarët e ushtrive partnere për të realizuar ushtrimin fushor ,,Shqiponja 6 “, të parin me karakter ndërkombëtar.
Në Komandën e Përparme Operacionale, të vendosur në fshatin Koliq, ku ishin të përfaqësuara të gjitha njësitë e ushtrimit fushor ndërkombëtar ,,Shqiponja 6’’, komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH), gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj njoftoi për audiencën kryesore të ushtrimit si dhe njësitë pjesëmarrëse.
Gjatë vizitës, ministri Berisha dhe gjeneral Rama, u njoftuan nga drejtori i ushtrimit fushor, gjeneral brigade Naim Haziri, me qëllimin, objektivat, skenarin e ushtrimit fushor dhe me aktivitetet që janë paraparë të zhvillohen së bashku me ushtritë e vendeve partnere, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave si dhe Kryqin e Kuq të Kosovës.
Ndërkaq, komandanti në detyrë i ushtrimit, nënkolonel Sylejman Cakaj, para ministrit dhe komandantit të FSK-së paraqiti një ekspoze të aktiviteteve dhe operacioneve të zhvilluara që nga dita e dislokimit e deri më sot, si dhe i njoftoi ata me bashkërendimin e veprimeve dhe ndërveprueshmërinë e FSK-së me institucionet vendore dhe partnerët gjatë këtyre ditëve që po zhvillohet ushtrimi.
Me këtë rast, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha përgëzoi stafin planifikues dhe menaxhues të ushtrimit duke shprehur besimin e plotë se skenari i ushtrimit do të realizohet në tërësi dhe se ushtrimi do t’i arrijë objektivat e veta trajnuese.
Nga ana a tij, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e vlerësoi si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen e ushtrive partnere në ushtrim, atë të KFOR-it si dhe agjencive vendore, duke theksuar se është me rëndësi komunikimi dhe ndërveprueshmëria ndërmjet institucioneve, në mënyrë që ushtrimi ndërkombëtar të arrijë objektivat e veta, ashtu siç është planifikuar.
Në Komandën e Përparme Operacionale, qëndruan sot edhe gjeneralë e oficerë të lartë të FSK-së, të vendeve partnere, atashe të akredituar si dhe zyrtarë të lartë të Presidencës dhe agjencive të sigurisë.
Për herë të parë pjesë e këtij ushtrimi, me njësitë dhe përfaqësuesit e tyre, janë edhe shtetet si: Shqipëria, Garda e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe KFOR-i përfaqësuesit e Agjencive të Sigurisë dhe Emergjencave të Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.
Ushtrimi fushor i FSK-së “Shqiponja 6” përveç ushtrimeve të parapara në fshatin Koliq, është duke i vazhduar aktivitetet edhe në Prishtinë, Obiliq, Podujevë, Novobërdë dhe Gjilan. Ushtrimi fushor ,,Shqiponja 6’’ ka filluar më 4 maj dhe do përfundojë më 11 maj 2018.