Ministri i Financave, Bedri Hamza priti sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, ku diskutuan për progresin dhe sfidat e vendit tonë në fushën e financave dhe ekonomisë.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza falënderoi ambasadorin Chabert për mbështetjen që shteti francez i ka dhënë Kosovës deri më tani përmes projekteve të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit si dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Gjatë takimit Ministri Hamza e njoftoi Ambasadorin për procesin e të hyrave buxhetore, për masat e reja fiskale, për planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë, për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe indikatorëve makro fiskal, për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend si dhe përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e informalitetit.
Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert falënderoi Ministrin për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet e bëra për të arritur një rritje të hyrave buxhetore prej 10 % krahasuar me vitin e kaluar dhe për t’u përmbajtur nga shpenzimet e reja që mund të ndikojnë në afat të gjatë në qëndrueshmërinë buxhetore dhe në ndëshkimin e investimeve produktive për të cilat vendi ka nevojë.
Ambasadori i Francës Didier Chabert gjithashtu diskutoi me Ministrin Bedri Hamza për mundësinë e një vizite zyrtare në Paris.