Ministri i Financave Avdullah Hoti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij po qëndron në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku po merr pjesë në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore, si dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të Rajonit, me temën “Stabiliteti financiar rajonal në mjedisin global“, që po mbahet në Beçiq të Malit të Zi.
Në panelin e Ministrave të Financave të rajonit, me temën: Prioritetet e reja – Rritja më e shpejtë ekonomike me financa të shëndetshme publike dhe borxh më të ulët publik, ministri Avdullah Hoti theksoi se për Kosovën dhe Malin e Zi, si dy vendet e vetme të rajonit që kanë zgjedhur Euron si valutë të tyre, tema e këtij paneli është edhe më e rëndësishme për shkak të fushëveprimit të kufizuar për të korrigjuar gabimet në menaxhimin e financave publike nëpërmjet masave monetare.
Ministri Hoti theksoj se financat publike të shëndetshme dhe niveli i ulët i borxhit publik kanë efekt të menjëhershëm në pasigurinë ekonomike dhe rrjedhimisht në rritjen ekonomike. Ai po ashtu theksoj nevojën për implementimin e reformave që e bëjnë të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe adoptimin e politikave fiskale që ofrojnë stimuj për investime brenda sektorit privat.
Gjatë fjalimit të tij, Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se Kosova është shembull konkret se si reformat në financat publike kanë pasur ndikim të menjëhershëm në rritjen ekonomike, duke rezultuar me një përshpejtim të normës së rritjes nga 1.2% më 2014 në një mesatare prej 4% përgjatë 2015 dhe 2016. Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se përmirësimet kryesore në arkën e shtetit kanë rezultuar nga rënia e deficitit buxhetor dhe ngritja e të hyrave tatimore nga 21% në 24% të prodhimit të brendshëm bruto.
Sipas Ministrit Hoti, ndikimi i përmirësimit të financave publike në rritjen ekonomike ka qenë i përcjellur vazhdimisht me reforma për përmirësimin e ambientit bizensor, reflektuar edhe me ngritjen e rangimit të Kosovës në raportet e Bankës Botërore.